Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Aty është thënë se aktakuza është rezultat i një hetimi të gjatë dhe se një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale është duke analizuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.
Përveç kësaj, në komunikatë është thënë se Thaçi dhe Veseli “kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”.
“Nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, është thënë në njoftim.
Përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale derisa gjyqtari t’i konfirmojë ato. Gjykatësi ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.




