Pendarovski – Sobotka: Mbështetje austriake e parezervë për perspektivën evropiane të vendit

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot ka pritur kryetarin e Këshillit Nacional të Parlamentit të Republikës së Austrisë, Volfang Sobotka, informojnë nga Kabineti i presidentit.

Nga Kabineti i presidentit Pendarovski njoftojnë se në këtë
takim janë këmbyer mendime për marrëdhëniet bilaterale gjithëpërfshirëse
mes Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë, me çka ishte vlerësuar se të dyja
shtetet kanë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale në disa sfera me interes të
përbashkët.

Presidenti Pendarovski, me këtë rast ka shprehur pritshmëri për intensifikimin e
mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet parlamenteve të të dyja shteteve, si
aspekt i rëndësishëm në përforcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.

Gjithashtu në takim presidenti Pendarovski e theksoi rëndësinë e mbështetjes
së fuqishme, të parezervë dhe parimore austriake për perspektivën evropiane
të Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit. Në atë kontekst, presidenti Pendarovski
shfaqi pritje se së shpejti, pas sjelljes së metodologjisë së re për udhëheqjen e
negociatave për anëtarësim, do të përcaktohet datë për fillimin e negociatave
për anëtarësim në Union, që është në interes të stabilitetit të rajonit dhe të
Bashkimit Evropian.

Presidenti Pendarovski dhe kryetari i Këshillit Nacional të parlamentit austriak,
Sobotka, kanë këmbyer mendime dhe informacione edhe për situatën aktuale në
rajon, si dhe për sfidat të cilat dalin nga emigrimi ilegal.