Pelosi: Procesi për shkarkimin e presidentit Trump do të vazhdojë

Kryesuesja, Nancy Pelosi, tha se Dhoma e Përfaqësuesve do të paraqesë akuzat për shkarkim kundër presidentit të SHBA-së, Donald Trump, lidhur me pretendimet për abuzim me pushtetit.

“Demokracia jonë është vënë në pikëpyetje, presidenti nuk na lë zgjidhje tjetër veçse të veprojmë”, tha demokratja Pelosi.

Deklarata e saj u bë një ditë pasi Komiteti për Gjyqësi i Dhomës filloi të shqyrtojë akuzat e mundshme kundër presidentit republikan.

Presidenti Trump u tha demokratëve që të lëvizin më shpejt në procesin e shkarkimit.

“Nëse dëshiron të më shkarkosh lëviz më shpejt, në mënyrë që të kemi një gjykim të drejtë në Senat”, shkroi Trump në rrjetin social Twitter, menjëherë pas deklaratave të Pelosit.

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët miraton akuzat për shkarkim, atëherë çështja kalon në Senat, ku republikanët e kanë shumicën.

Kongresistja nga Kalifornia, Nancy Pelosi, tha në një konferencë për media se “faktet janë të pakontestueshme. Presidenti abuzoi me pushtetin për përfitimin e tij politik, në kurriz të sigurisë sonë kombëtare, duke ndaluar ndihmën ushtarake dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë, në këmbim të një hetimi për rivalin e tij politik ”.

Dhoma e Përfaqësuesve vendosi të fillojë procesin e shkarkimit të presidentit të SHBA-së, pasi një informator i paidentifikuar kishte deponuar një ankesë lidhur me një telefonatë të zhvilluar në korrik ndërmjet presidentit Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymir Zelenskyi.

Sipas informatorit, gjatë kësaj bisede, Trump i kishte kërkuar Zelenskyt që të hetojë për korrupsion rivalin e tij politik Joe Biden dhe djalin e tij.

Biden aktualisht po synon që të marrë nominimin e Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.