Peker pohon se ka qenë në shtëpinë e Zaevit! Përmes një video zbulon se njihet me të gjithë liderët partiak

Sedat Peker, është një prej emrave më të famshëm në aferën me pasaportat e falsifikuara, por përveç kësaj, ai tani pohon se ka qenë edhe mysafir në shtëpinë e kryeministrit Zoran Zaev.

“Unë Sedat Peker, kryeministrin e atij shteti e njoh, kam qenë mysafir në shtëpinë e tij në Maqedoni. Edhe liderët e tjerë të të gjitha partive i njoh”, tha Sedat Peker.

Pyetëm edhe kryeministrin Zaev, se a njihet nga afër me Pekerin, ai na drejtoi në Qeveri. E nga Qeveria shkurt thonë se kryeministri nuk ka pasur takim me të.

Ndërkohë para një muaji, Zaev kishte pohuar se kolegët e tij politikan janë takuar me atë.

“Jam i njoftuar edhe secili nga kolegët nga partitë partnere ka pasur takim pas kërkesës së tij, në çarshi dhe vende të tjera, por absolutisht askush nuk mund të thotë se dikush ka faj për këtë sepse normalisht kur dikush kërkon takim, dikush duhet të caktojë takimin. Siç shihni, institucionet funksionojnë dhe kanë dhënë rezultat”, deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.

Për pohimet e Peker se njihet me kryeministrin Zaev, ka reaguar lideri i opozitës Hristijan Mickoski. Ai hedh dyshime mbi përfshirjen e Zaev në rastin me pasaportat false. Megjithatë Peker në videon e njëjtë zbulon se njihet me të gjithë liderët partiak.

“Pse të dënuarit janë gjykuar vetëm për keqpërdorim të detyrës dhe nenin 353, dhe jo për falsifikim të dokumenteve të udhëtimit, ose për grup të organizuar kriminal dhe pse nuk ka hetim financiar? Përgjigja për të gjitha këto vijon në video, Sedat Peker thotë se ai u takua me kryeministrin Zaev në shtëpinë e tij”, shkruan Hristijan Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së.

Përderisa shteti turk, Sedat Pekerin e kërkonte për vrasje dhe për trafikim të drogës, ai një periudhë të gjatë kohore është shëtitur lirshëm në vendin tonë duke zhvilluar takime të shumta me politikan, funksionarë dhe biznesmenë në Maqedoni dhe në rajon. Ndërkohë që më 18 janar 2021, policia e Maqedonisë së Veriut e arrestoi për shkak se kishte shkelur rregullat për qëndrim të shkurtër dhe e dëboi nga vendi.