PD-ja në Shqipëri bëhet gati për zgjedhjet, Basha fillon fushatën elektorale

Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha ka mbledhur në orën 11:00 kryesinë e partisë për të diskutuar rreth situatës politike, reformës zgjedhore dhe përgatitjes për zgjedhje. Mbledhja e Kryesisë së PD-së vjen vetëm dy ditë pas arritjes së marrëveshjes në parim mes palëve politike për ligjin e ri zgjedhor.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka folur për media në fund të mbledhjes së Kryesisë, duke thënë se opozita e bashkuar do të fokusohet te ringritja ekonomike.

Ai tha se opozita e bashkuar dhe PD do paraqesin platformën ekonomike kudo në vend.

“Sfida më e madhe e çdo familje, e çdo shqiptari, është kriza ekonomike. Kjo krizë nuk mund të zgjidhet nga ta që zhvatën Shqipërinë. Ndaj e gjithë vëmendja jonë është tek e ardhmja. Një ekonomi e fortë, një Shqipëri e fortë. Ndaj PD dhe opozita e bashkuar janë të vendosur të paraqesin platformën ekonomike kudo në Shqipëri. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet, do të kemi në fokus ringritjen ekonomike. Ky do të jetë përqendrimi i gjithë energjive tona. Do përqendrojmë gjithë energjinë tonë te fitorja e zgjedhjeve të ardhshme dhe zgjidhja e krizës së rëndë ekonomike, duke iu ofruar planin tonë shqiptarëve, për t’u kthyer ekonominë atyre”- tha Lulzim Basha.