Pavarësisht presioneve, Turqia rinis kërkimet për gaz në Mesdheun Lindor

Një anije turke filloi kërkimet për gaz në një zonë të Mesdheut Lindor, e pretenduar nga Greqia, theksoi sot Ankaraja duke i bërë sfidë thirrjeve ndërkombëtare për t’i dhënë fund këtyre eksplorimeve.

“Anija e kërkimit ‘Oruç Reis’ ka mbërritur në zonën e operacionit. Testet kanë filluar dhe ne po fillojmë sot të marrim të dhënat e para”, deklaroi ministri turk i Energjisë, Fatih Donmez.

Turqia njoftoi të dielën vendosjen e ”Oruç Reis”, deri më 22 tetor në një zonë të pretenduar nga Athina në jug të ishullit grek të Kastellorizos, që ndodhet pranë brigjeve turke.

Vendosja e kësaj anijeje, kthyer në simbol të nevojave për gaz të Ankarasë në Mesdheun Lindor, ka vënë në rrezik shpresat për qetësim të situatës, pas disa javëve tensionesh mes Turqisë dhe Greqisë, në muajt gusht dhe shtator.

Tensionet filluan me vendosjen e kësaj anijeje më 10 gusht në Mesdheun Lindor. Ankaraja e zgjati disa herë misionin e saj duke injoruar thirrjet e përsëritura të Bashkimit Europian dhe Athinës që parashikojnë ndërprerjen e tyre.