Pas dobësimit të Gruevskit, Ahmetit dhe Ivanovit, anëtarësimi i vëndit në NATO mori një hov të ri

Shkruan: Safet Xhelali

Sot gjendemi në finalen e një procesi të gjatë. Maqedonia e Veriut po bëhet anëtare e tridhjetë e NATO-s. Po kurorëzohet ëndërra e gjeneratave. Të gjithë po vrapojnë për të marë merita, madje edhe partneri afatgjatë i Nikolla Gruevskit, Ali Ahmeti, si dhe ministri i tij lojal, Bujar Osmani. Kuptohet nga rasti mundohet të përfitojë edhe protagonisti i ngjarjeve në Kala, Artan Grubi, fillimisht gjoja kundështar i ashpër i Gruevskit, e më pas votues besnik i tij në Kuvend. Po bëjnë incizime, e po bëjnë selfie, me shpresë se do të na marrin mendjen dhe do të harrojmë se votuesi shqiptar është më meritori për këtë arritje.
E pranoi dikush ose jo, me votimin e mençur në zgjedhjet parlamentare të 2016-tës, votuesi shqiptar dobësoi edhe BDI-në edhe VMRO-DPMNE-në.
Me dobësimin e tyre, rruga për anëtarësim në NATO mori një hov të vrullshëm dhe të pandalshëm, pas ngecjes njëdekadëshe.
U krijua një realitet i ri politik. Që nga dobësimi i VMRO-DPMNE-së dhe nga përgjysmimi i BDI-së, nuk pati asnjë rast të montuar ndaj shqiptarëve, e as skenar destabilizimi, që përsëriteshin vazhdimisht gjatë qeverisjes së tyre dhjetë vjeçare, raste që ishin pengesë serioze në kursin euroatlantik të vëndit. U ndërprenë edhe takimet e përzemërta të ministrave të BDI-së me gjeneralët serbë, që i kanë duart e përgjakura me gjak të shqiptarëve të Kosovës.
Me dobësimin e Gruevskit dhe Ahmetit, u dobësua edhe pozita e Gjorgje Ivanovit. Nuk kishte më “takat” ta pengojë kthimin e Maqedonisë në rrugën euroatlantike dhe daljen nga “kolloseku” pro-rus në të cilin e kishin futur 10 vite me radhë. U hap rruga për zgjidhjen e çështjes së emrit. Frutat e votës shqiptare në vitin 2016 po i korrim sot, kur Maqedonia po futet nën ombrellën e organizatës më të fuqishme botërore të sigurisë. Athua përfundon këtu misioni i votuesit shqiptar në Maqedoni? Jo!
Tani shqiptarët e Maqedonisë duhet të kenë një fokus të ri-të bëhen bartës të procesit të integrimit të vendit në BE, ashtu siç u bënë bartës të procesit të anëtarësimit në NATO. Udhërrëfyesi sipas meje është i qartë. Nëse dobësimi i VMRO-së dhe BDI-së në vitin 2016 përshpejtoi anëtarësimin në NATO, dobësimi i mëtejmë i tyre do të përshpejtojë rrugën edhe për në BE. Tani Gruevski ka ikur në Hungari dhe nuk paraqet më ndonjë rrezik për rrugën euroatlantike të vendit. Fokusi i votuesit shqiptar tani duhet të jetë dobësimi i partnerëve 10 vjeçar të Gruevskit dhe rrugëtimi ynë drej Brukselit do të jetë edhe më i shpejtë, por edhe më i sigurt.