Papunësia në SHBA në nivele historike si pasojë e Covid-19

Pandemia ka ndikuar në ekonominë amerikane si një cunami, vala e të cilit ka marrë shumë vende pune dhe shkalla e papunësisë në muajin prill pritet të arrijë një nivel historik, ndërkohë që 30 milionë amerikanë janë regjistruar si të papunë që prej fillimit të krizës.

Niveli i papunësisë, që do të publikohet të premten, mund të arrijë në 20%, rreth dy herë më shumë se ai që u përball vendi në momentin më të keq të recesionit të madh të vitit 2009.

Disa ekonomistë parashikojnë 28 milionë vende pune të humbura. Në krahasim, 8,6 milionë punonjës humbën vendin e punës gjatë dy viteve të krizës financiare botërore.

Vala e parë e humbjeve të vendeve të punës ka prekur kompanitë ajrore dhe hotelet, më pas restorantet dhe uzinat pas urdhërit për mbylljen e tyre.

Shpejtësia me të cilën tregu i punës ka kaluar nga forma e saj më e mirë në 50 vjet, në gjendjen më të keqe në historinë e fundit, e bën çdo krahasim të vështirë, për statistikat e Departamentit të Punës (BLS) që realizojnë këtë raport mujor.