Pandemia me Kov id 19 do të zgjasë të paktën edhe një vit e gjysmë

Pandemia me Kov id-19 do të zgjasë të paktën edhe një vit e gjysmë, tha kryetari i Institutit Suprem për Shëndetësi në Itali, Silvio Brusafero.

“Për dallim nga katastrofat natyrore të cilat mund të jenë dramatike, por afatshkurta, siç është tërmeti, pandemia shkakton stres afatgjat. Sistemet shëndetësore punojnë në vendosjen e strategjive të cilat do të na ndihmojnë që të përshtatemi në situatën e tillë, ndërsa disa nga këto masa sipas gjitha gjasave do të jenë të qëndrueshme”, tha Brusafero.

Ai shton se nga rrjedha e deritanishme e pandemisë mund të mësohet se parandalimi është kyç, sepse ndihmon që të shmangen krizat shëndetësore.

Instituti Suprem i Shëndetësisë është organi më i madh shkencor – shëndetësor në Itali.

Në Itali ka përgjysmë më pak të sapoinfektuar me virusin korona në krahasim me javën e kaluar.

Për një ditë, janë regjistruar 16.500 raste të reja të infeksionit, por numri i rasteve të vdekjes është ende shumë i lartë – 672 në ditë, informon agjencia Ansa.