Pacolli: Kosova ofron mbrojtjen më të madhe të mundshme për objektet fetare

Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosova ofron mbrojtjen më të madhe të mundshme për objektet fetare.

Pacolli këtë prononcim e bëri në rrjetet sociale duke iu përgjigjur presidentit serb, Aleksandër Vuçiç i cili sipas mediave serbe, ka kërkuar që “të mbrohen manastiret dhe kishat ortodokse serbe në Kosovë”.

Kjo thirrje e presidentit serb Vuçiç ka ardhur për shkak që siç ka thënë ai, këto prona janë në vazhdimësi cak i sulmeve dhe kërcënimeve dhe se këtë e bëjnë personat që nuk besojnë në qytetërim dhe trashëgimi kulturore. Vuçiq ka theksuar se shqiptarët “do të tentojnë të thonë se ato i përkasin trashëgimisë kulturore shqiptare”, për çka, siç tha ai, “kanë fituar edhe mbështetjen e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare”.

Pacolli tha se e shpreh kundërshtimin e fuqishëm ndaj deklaratave të presidentit serb Vuçiç ngase sipas tij, “Kosova ofron mbrojtjen më të madhe të mundshe për objektet fetare, diçka që Kisha Ortodokse Serbe as nuk e ka në Serbi”. Me këtë rast, Pacolli i bëri thirrje Beogradit zyrtar të ndalë nxitjen e tensioneve në Kosovë.

“Unë dua t’ia bëj të qartë Beogradit që të ndal nxitjen e tensioneve në Kosovë, dhe vendet e tjera të rajonit. Këto deklarata sot tregojnë një shenjë të qartë që Beogradi dëshiron të nxisë tensione në Kosovë para Krishtlindjes Ortodokse për të manipuluar serbët e Kosovës”, tha Pacolli.

Ai theksoi se ligji për liritë fetare në Kosovë ka marrë miratimin e Komisionit të Venedikut dhe si i tillë është në përputhje me standardet evropiane.

“Lërini njerëzit të kenë festa normale dhe të qeta. Asnjë politikë në fe nuk është e nevojshme e aspak nga Beogradi që njihet për tendenca për manipulime me qytetaret serbë të Kosovës”, theksoi ai.

Deklarime të tilla vijnë vetëm pak ditë pasi në Mal të Zi u miratua ligji për komunitete fetare, i cili u shoqërua me protesta dhe arrestime në Podgoricë. Atje, Kisha Ortodokse Serbe pretendon se ligji do t’i heqë pronën, duke përfshirë dhjetëra manastire mesjetare dhe kisha ortodokse.