Edhe një proces tjetër gjyqësor i ish-Prokurorisë Speciale do të duhet të fillojë nga e para. Pas dy vitesh gjykim, rasti TNT që ka të bëjë me prishjen joligjore të kompleksit “Kosmos” të biznesmenit Fiat Canoski, afati i të cilit skadoi sot, do të duhet të kthehet në fillim. Arsyeja për këtë është se ka skaduar mandati i një gjykatëseje porotë.
Çfarë do të vendosin, nuk më takon mua ta komentoj. Ligjërisht duhet të përfundojë mandati i tyre. Në këtë mënyrë nuk do të ketë lëshime procedurale, procesi do të përfundonte ligjërisht dhe do të mësohej e vërteta -u shpreh Jovica Strashevski, avokat i Toni Trajkovskit.
Ndërkaq arsyeja për shtyrjen e seancës së sotme ishte se as sot nuk u paraqit në gjykatë, ish-kryetari i Komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski, i cili ishte sulmuar fizikisht nga dy persona të panjohur. Ai u kthye në spital. Gjykimi rinis më 17 janar. Atëherë do të duhet të ketë një përbërje të re të porotës. Gjatë ditës, prokurori Burim Rustemi u përpoq ti ndajë procedurat kundër Trajkovskit dhe anëtarëve të komisionit dhe kështu të ketë një aktgjykim për Nikolla Gruevskin, Mile Janakieskin dhe Elizabeta Najdovskan. Por, gjykata nuk e pranoi këtë. Më parë, Janakieski reagoi ashpër. Ai kishte një seri pyetjesh për Trajkovskin, që do të ndihmonte në zbardhjen e së vërtetës për prishjen e objektit.
Nëse qëllimi i prokurorisë është që të shkojë koka e Mile Janakieskit, atëherë urdhëroni – tha Mile Janakieski, i akuzuar.
Me kthimin e gjykimit nga e para, prokurori Rustemi nuk pret që vepra penale të vjetërsohet, por pret që mbrojtja ta vonojë përsëri të gjithë procesin.
Unë mendoj se kishte hapësirë për të ndarë procedurën, kishte baza dhe kushte për të përfunduar rastin, i cili është me të vërtetë në fazat përfundimtare. Sidoqoftë, ne e respektojmë vendimin e gjykatës dhe ka të ngjarë që procedurat të nisin nga e para, dhe të zgjasin për një periudhë të caktuar kohe -deklaroi Burim Rustemi, prokuror.
Përveç Gruevskit, Janakieskit dhe Trajkovskit, edhe katër punonjës të tjerë të komunës së Gazi Babës akuzohen gjithashtu për prishjen e “Kosmosit”. Sipas prokurorisë, urdhri ka ardhur nga Gruevski, i cili ishte i zemëruar me Canoskin, për largimin nga koalicioni me VMRO-në. Prishja u koordinua nga Janakieski, dhe logjistika ka ardhur nga komuna Gazi Babë.