Osmani reagon pas kërcënimit të djalit të Mustafës

Besnik Mustafa, djali i liderit të LDK-së, Isa Mustafa, është kërcënuar me jetë nga një person përmes rrjetin social Facebook.

Për këtë ka reaguar nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani.
Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se kërcënimi i familjeve është sulm ndaj vlerave më të rëndësishme që kemi si shoqëri.

“Për fat të keq, tashmë gjuha e urrejtjes është kthyer gjithandej në përditshmëri, por kërcënimi i familjeve është sulm ndaj vlerave më të rëndësishme që kemi si shoqëri.
Familja është e shenjtë dhe nuk ka dallim politik që arsyeton nxitjen e urrejtjes e të kërcënimeve të tilla”, thotë Osmani.
Ajo, ka bërë thirrje të punohet për gjuhë përafruese e të mirëkuptimit ndaj njëri-tjetrit.

“Është koha që të gjithë të bëjmë thirrje e të punojmë për gjuhë përafruese e të mirëkuptimit ndaj njëri-tjetrit. Pavarësisht dallimeve politike, ne të gjithë kemi vetëm një atdhe, Republikën e Kosovës, të cilën duhet ta ruajmë e zhvillojmë duke respektuar njëri-tjetrin”.

Osmani ka ftuar përfaqësuesit e tjerë politik që jo vetëm të dënojnë gjuhën kërcënuese por edhe t’i ftojnë aktivistët e anëtarët e tyre për gjakftohtësi, tolerancë e mirëkuptim.

Ndërkaq, kërcënuesi i ka thënë djalit të Mustafës se do ta kallë atë bashkë me familjen.