Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani,ka realizuar video takim me Miroslav Lajçak, Përfaqësues Special i BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Beograd-Prishtinë.
Siç informojnë nga kabineti i tij, Ministri Osmani ka theksuar se Republika e Maqedonisë së Veriut e vlerëson lart rolin të cilin nga ana e BE-së iu është caktuar Ambasadorit Lajçak si ndërmjetës në bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe për çështje të tjera në rajon.
– Advertisement –
“Si fqinjë të parë të Kosovës dhe Serbisë, kemi interes të veçantë për suksesin e dialogut Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga BE-ja. Afrimi i qëndrimeve të të dy palëve dhe normalizimi i marrëdhënieve midis dy vendeve do të paraqesë investim të madh në stabilizimin dhe evropianizimin e të gjithë rajonit”, tha Osmani.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, iniciativat rajonale si dhe pritjet gjatë periudhës së ardhshme.
– Advertisement –
“Kisha vizitë jashtëzakonisht të suksesshme në Bruksel, duke u takuar me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrell dhe Komisionerin e Zgjerimit të BE-së, Varhelyi. Jemi në pritje të Raportit vjetor nga ana e Komisionit, si dhe të planit ekonomik për Ballkanin Perëndimor të cilën e njoftoi Eruokomisioneri Varhelyi. Në vend jemi të përqendruar në reformat, me theks në sundimin e ligjit, si dhe në finalizimin e të gjitha përgatitjeve politike dhe administrativo-teknike për fillimin e negociatave deri në fund të vitit”, tha Osmani, duke shprehur besim në Përfaqësuesin Special Lajçak se vendi do të jetë gati për të mbajtur Konferencën e parë Ndërqeveritare dhe fillimin e negociatave me BE-në.
Bashkëbiseduesit kanë rënë dakord se mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së deri në fund të vitit është e rëndësishme jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për porosinë që do të dërgohet në të gjithë rajonin. Kjo do të paraqesë konfirmim që politika e zgjerimit të BE-së vazhdon, por gjithashtu se investimi i vërtetë në reforma dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë nënkuptojnë edhe një investim të sigurt për një të ardhme më të mirë për qytetarët.






