Osmani: Jemi gati për bisedime, prolongimi ishte gabim i BE-së

Ne jemi të gatshëm për bisedime, ndërsa prolongimi i datës ishte gabim i vetë Bashkimit Evropian. Kështu është shprehur, ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani, para deputetëve anëtarë të Komisionit për punë të jashtme. Ai shtoi se rruga e integrimit evropian mbetet edhe më tej prioritet i Maqedonisë së Veriut, ndërsa fokusi kryesor do të jetë në zgjidhjen kontestit me Bullgarinë. Edhe përkundër sfidave dhe kontestit me fqiun lindur, Osmani vitin 2020 e vlerësoi si të suksesshëm në planin e integrimeve.

Bujar Osmani, Ministër për Punë të Jashme

“Prioriteti ynë mbetet rruga për anëtarësim në BE, prioritet kryesore në aktivitetet diplomatike të ministrisë së punëve të jashtme në vitin 2021 përsëri do të jenë përpjekjet tona që sa më shpejtë të aktivizohet procesi negociues. Punojmë për të siguruar prani intensive diplomatike në vendet anëtare të BE-së dhe në kontekst do të lobojmë intenzivisht te përfaqësuesit më të lartë të vendeve anëtare të BE-së që RMV sa më shpejtë të nis zyrtarisht negociatat”

Me këtë konstatim të Osmanit nuk u pajtua kryetari i komisionit për punë të jashtme, Antonio Milloshovski, i cili pyeti edhe për dyshimet e ngritura se pas Bullgarisë fshihen edhe vende të tjera anëtare të BE-së që janë kundër bisedimeve me Maqedoninë e Veriut.

Antonio Milloshovski, Deputet I VMRO-DPMNE-së

“Eurodeputeti Ivajllo Kallthi, më 9 dhjetor, ka theksuar se bllokada bullgare i konvenon disa vendeve tjera anëtare të cilat nuk duan vazhdim të zgjerimit të BE-së, ndërsa Bullgarinë e shfrytëzojnë si arsyetim, a keni vërejtur ju që të ketë një dy apo 3 vende të tilla, të cilat i përmend ish ministri dhe eurodeputeti I tanishëm dhe nëse keni detektuar vende të tilla, a planifikoni përveç vizitave tek fqinjët t’i vizitoni ato vende që të mundet në mënyrë më të mirë të ndikohet dhe të binden se fillimi I procesit të zgjerimit nuk është në dëm të askujt”

Këto vlerësime i kundërshtoi Osmani duke thënë se në të gjitha takimet dhe diskutimet që ka pasur me zyrtarë të ndryshëm të vendeve anëtare të BE-së, askush nuk ka shprehur qëndrim kundër hapjes së bisedimeve dhe të gjithë e kanë mbështetur kornizën negocjuese, përveç Bullgarisë për arsyen tanimë të njohur./SHENJA