Osmani: Fatin e betejës kundër Covid 19 e kemi në duart tona, vetëm duke qëndruar në shtëpi ia dalim

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka reaguar pas paraqitjes së 79 rasteve të reja me Covid-19 në Kosovë.

Osmani përmes një postimi në Facebook, kryeparlamentarja ka bërë thirrje për qëndrim në shtëpi dhe respektim të rekomandimeve.

Sipas Osmanit, 24 orëshi i fundit shënoi numrin më të madh të të infektuarve.

“24-orëshi i fundit shënoi numrin më të madh të të infektuarve të konfirmuar me Covid-19, gjithsej 79. Ky numër tregon fuqinë e armikut të padukshëm, dëshmon se, nëse ne, sikur thonë profesionistët shëndetësorë, ne i japim këmbë atij, ia bartim atë tjetrit, beteja ndaj tij do të jetë e gjatë dhe e dhimbshme”.

“Prandaj, të bëhemi të gjithë bashkë për ta ndalur atë, për të shpëtuar jetët tona e të të dashurve tanë; t’i kufizojmë liritë tona sot që t’i gëzojmë përherë pastaj; ta kuptojmë se fatin e betejës e kemi në duart tona dhe se vetëm duke qëndruar në shtëpi dhe duke i ndjekur udhëzimet e profesionistëve, mund ta fitojmë atë. Së bashku mund t’ia dalim”, ka shkruar ajo.