“Open Ballkani” paradhomë e “Botës Serbe”… atë dhe rrezikun e sollët ju bashkë me miqtë!

Shkruan: Fejzi HAJDARI

S’ka se si të mos irritoj, hipokrizia dhe çirrja e Qeverisë së Edi Ramës bashkë me paraqitjet e Ali Ahmetit, për rrezikun nga një projekt hegjemon serb, i ashtuquajtur “Srpski Svet” (në përkthim “Bota Serbe”), e që bazën dhe inspirimin e ka të “Ruski Svet” (Bota Ruse). Pra, qëllimi ishte që nëpërmjet Vucicit me miqtë, ky model rus të zbatohet edhe në Ballkanin perëndimor, me qëllim që Serbia nëpërmjet dominancës ekonomike të gjente dalje sa më të kollajshme, deri në detin Adriatik dhe ekonomikisht te domenonte sidomos ne shtetet shqiptare Kosovë e Shqipëri, sikur pas Luftës së Dytë Botërore.

Këtë rrezik nga “Bota Serbe”, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, çuditërisht po e shpalos tek sot, edhe pse realisht ky rrezik ka qenë i vazhdueshëm, pa pushuar asnjëherë. Janë pikërisht politika zyrtare serbe në krye më presidentin serb Vuciq, pastaj Kisha Ortodokse Sebre si lojrar kryesor, por edhe Akademia e Shkencave Serbe, që vazhdimisht kanë hartuar dhe publikisht i kanë mbështetur projektet e këtilla hegjemone dhe në dëmë të popujve të rajonit.

Pra, zonjës “Spiro-Pali”, vonë i paska dal gjumi!! E nderuar zonjë, më duhet juve të qeverisë së Tiranës dhe mbështetësve të “Open Ballkanit” në Maqedoni, Ali Ahmetit, si dhe ish-kryeministri malazezë Dritan Abazoviq, t’ju përkujtojë se rreziku konkret i dukshëm nga “Bota Serbe”, kishte filluar me afrimin dhe ngrohjen e marrëdhënieve të Edi Rames me Vuçiqin, sidomos me përkrahejn e fuqishme të “Open Ballkanit”, rrjedhimisht edhe ftohjen e komunikimit me kryeministrin Albin Kurtin dhe presidenten Vjosa Osmani.

Kjo ftohje e Ramës me krerët shtetërorë të Kosoves, që solli edhe ndërprerjen e takimeve të Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, ishte një nxitje dhe shtytje e madhe, që Vuciqi t’i vazhdojë përpjekjet për destabilizimin e rajonit, sidomos veriun e Kosovës. Rama shkoi aq larg, saqë veriun e Kosovës e quajti “tokë e askujt”, duke i dhënë në këtë mënyrë edhe një argument Vuciqit, që t’i vazhdojë përpjekjet destabilizuese. Nga veriu, të cilin Rama e quante “tokë e askujt”, ish ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, pa fije turpi dhe përgjegjësie morale e kombëtare, kërkonte tërheqjen e policisë speciale të Kosovës, në rrethana pothuajse lufte të padeklaruar!

Dmth deklaratat e Ramës dhe Bujar Osmanit, sikur të ishin të sinkronizuara lidhur me zhvillimet dramatike në veri të Kosovës. Presidenti serb dëshirontë pikërisht nëpërmjet destabilizimit dhe invazionit në very të Kosovës, të realizonte pikërisht Botën Serbe”, rrezik ky të cilin fatkeqësisht ju dhe vëllezërit tuaj politikë në Maqedoni, po e konstatoni me disa vite vonesë.

Kur të gjithë këtyre zhvillimeve të rrezikshme për Kosovën, por edhe për stabilitetin në rajon, i shtohet edhe pritja e ngrohtë e presidentit Vucici në Maqedoni, nga Ali Ahmeti, pastaj takimi i Bujar Osmanit me ministrin e Jashtëm rus Sergej Llavrov, të cilit Bullgaria për shkak të invazionit brutal sur në Ukrainë, nuk ia lejoi kalimin mbi hapësirën ajrore, atëherë mozaiku duket sikur pak më i kompletuar prandaj edhe dyshimet duken më të bazuar.

Zonjë “Spiro-Pali”, më duket tju kujtojë se ish-ministri Bujar Osmanin, poashtu në cilësinë e udhëheqësit me rotacion të OSBE-se, në momentet më të vështira të Kosovës, kërkonte nga kryeministri Kurti nëpërmjet Raportit “9-Pikësh”, t’i terheqë forcat policiore nga veriu, bile edhe dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë në 4 komunat në veri të Kosovës. Këto kërkesa ishin pothuajse të njëjta me ato të presidentit serb Aleksandar Vuciq.

A po e kuptoni e nderuar zonjë se ju nëpërmjet këtyre veprimeve keni ndikuar për shtimin e shkallës së rrezikut në shtetet e rajonit nga “Bota Serbe”. Tani të shtireni sot se ky projekt serb paraqet rrezik, është një hipokrizi e paparë. Fatkeqësia qëndron se edhe miku juaj Ali Ahmeti, i cili fotografohej në Shkup me presidentin serb Vuciq, tek sot e përmend këtë rrezik, megjithse kur ishte në pushtet me Gruevskin dhe Mijallkovin, edhe krahas shumë skandaleve ndaj shqiptarëve të pafajshëm, ai nuk shihte asnjë rrezik.

Rredhimisht sot kur ju nga Tirana dhe Ali Ahmeti, thoni se “Bota Serbe” paraqet rrezik, kjo më duket si ajo puna e atij hajdutit, kur bërtiste, “Kapeni hajdutin!”.