OBSH-ja përjashtohet nga hetimet kineze për Covid-19

Kina ka refuzuar kërkesat e vazhdueshme të Organizatës Botërore të Shëndetit për të marrë pjesë në hetimet mbi origjinën e COVID-19, ka thënë përfaqësuesi i OBSH-së në Kinë për Sky News.

 “Ne e dimë se një hetim shtetëror po ndodh por në këtë fazë nuk jemi ftuar të marrim pjesë”, tha Dr Gauden Galea.

 “OBSH po bën kërkesa deri tek komisioni shëndetësor dhe tek autoritetet,” tha ai.  

“Origjina e virusit është shumë e rëndësishme, bashkëveprimi kafshë-njeri është jashtëzakonisht i rëndësishme dhe duhet të studiohet”, theksoi Galea.

 ” Është parësore që ne të dimë sa më shumë që të jetë e mundur për të parandaluar përsëritjen”, tha ai.

I pyetur nëse ekziston ndonjë arsye për mospërfshirjen e OBSH-së, Dr Galea u përgjigj: “Nga këndvështrimi ynë, jo.”

Dr Galea mbrojti rolin e OBSH-së në ditët e para të shpërthimit të koronavirusit të ri.

 “Ne e dimë vetëm atë që Kina po raporton tek ne për atë periudhë”

Nga 3 janari deri në 16 janar, zyrtarët në Wuhan nuk raportuan asnjë rast të ri me virusin korona përtej 41 rasteve që ishin regjistruar para kësaj periudhe.

 “A ka të ngjarë që të ketë pasur vetëm 41 raste për atë periudhë? Unë mendoj se jo”, tha Dr Galea.

 “Nuk ka gjasa që me një epidemi të kësaj natyre, numri i rasteve të qëndrojë saktësisht në 41.

 “Por a ka pasur më shumë raste? Kjo është diçka për të cilën Kina do të duhet të përgjigjet”, përfundoi Dr Galea.