Numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi shkon në 35

Oktay ka vizituar Qendrën e Agjencisë turke për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD) për të marrë informacione lidhur me punimet që zhvillohen për tërmetin me magnitudë 6,8 ballë me epiqendër rajonin Sicrice në Elazığ të Turqisë.

Ai fillmisht vizitoi Qendrën e ndjekjes dhe vlerësimit të tërmeteve dhe qendrën e ndërhyrjes dhe më pas mori informacione nga të gjitha grupet e punës në Qendrën e AFAD-it të cilat janë formuar për të zbatuar Planin e Ndërhyrjes ndaj Fatkeqësive në Turqi.

Para takimit, Oktay në deklaratën e tij i shprehu ngushëllime popullit turk për humbjet e jetëve dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.

Ai rikujtoi se me presidentin Recep Tayyip Erdoğan kanë vizituar rajonin e goditur nga tërmeti dhe se nga momentet e para pas tërmetit janë zbatuar me shpejtësi punimet në kuadër të Planit të Ndërhyrjes ndaj Fatkeqësive.

Oktay falënderoi grupet e punës që operojnë nën koordinimin e AFAD-it. “Dje, ne erdhëm nga terreni pasi shikuam, përjetuam dhe ndjemë reflektimin e shërbimeve, punimeve dhe përpjekjeve që ju keni treguar si grupe pune. Unë ju falënderoj përzemërsisht në emër të qytetarëve tanë në Elazığ dhe Malatya”, tha ai.

Pasi bëri të ditur se të gjitha institucionet ushtarake dhe ato civile po kryejnë punime në çdo çështje pas tërmetit, Oktay tha se krahas kërkim-shpëtimeve po zhvillohen punime në shumë aspekte si në logjistikë, strehim, transport dhe marrjen e masave për fatkeqësi të dyta.

Kujtojmë se nga tërmeti me magnitudë 6,8 ballë që goditi pjesën lindore të Turqisë mbrëmjen e 24 janarit humbën jetën 35 persona ndërsa mbi 1.500 të tjerë janë plagosur.