Një tërmet 4,8 ballë godet pjesën perëndimore të Turqisë

Agjencia për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD) ka njoftuar se një tërmet me magnitudë 4.8 ballë ka goditur provincën Manisa në perëndim të Turqisë.

Nga AFAD theksojnë se tërmeti ka ndodhur në ora 05:43 sipas kohës lokale, në një thellësi prej 7 kilometrash.

Sipas informatave fillestare, nuk është raportuar për viktima.

Dje, Turqia lindore u godit nga një tërmet me magnitudë 5,9 ballë në afërsi të kufirit të saj me Iranin, ku humbën jetën 9 persona dhe 50 të tjerë mbetën të plagosur.