Një pjesë e Tetovës akoma pa ujë, autoritetet thonë se defekti është sanuar

Ndërmarrja publike komunale “Tetova” kumtoi se pas punës intensive ka përfunduar sanimi i defektit në rrjetin e ujësjellësit për shkak të gypit të dëmtuar F300 në rrugën “Cvetan Dimov” në Tetovë.

Megjithatë, sot në mëngjes në Tetovë akoma nuk ka ujë në disa amvisëri, ndërsa sipas informatave jozyrtare janë paraqitur probleme dhe defekte të reja në rrjetin e ujësjellësit, për çka informata priten gjatë ditës nga kryesia e NPK “Tetova”.

Për shkak të defektit të madh, rreth 60 për qind e qytetit u përball me ndërprerje të furnizimit me ujë. Mbi 12 orë u nevojitën për t’u sanuar defektin derisa disa pjesë të qytetit vazhdojnë të mos kenë ujë. Nga NPK Tetova informojnë se punimet filluan dje rreth orën 11:30 dhe kanë përfunduar në mesnatë.