Nisma: Të vazhdojë tradita e respektimit të vendimeve të Kushtetueses, na pëlqyen ose jo

Nisma Socialdemokrate ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e pezulloi dekretin e presidentit Hashim Thaçi deri më 29 maj.

Partia e Fatmir Limajt ka thënë se duhet të vazhdojë tradita e respektimit të vendimeve të Kushtetueses “pa marrë parasysh nëse ato na pëlqejnë ose jo”.

Reagimi i plotë i Nismës Socialdemokrate:

Për NISMËN Socialdemokrate, vendimi për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit të Presidentit të Republikës për dhënien e mandatit kandidatit të LDK-së, z. Avdullah Hoti, për të formuar qeverinë e re në seancën e Kuvendit të Kosovës të thirrur për datë 02 maj 2020, është brenda kompetencave të Gjykatës Kushtetuese dhe si i tillë detyron palët ta pranojnë!

Në mënyrë që në këtë rast Gjykata të mund punojë pa presion, palët duhet të përmbahen, kështu gjyqtarët e Gjykatës të munden të punojnë më tej pa presion nga palët.

NISMA Socialdemokrate konsideron që duhet vazhduar tradita e respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese pa marrë parasysh nëse ato na pëlqejnë ose jo.