Të mërkurën në orën 13, në ambient të hapur në Prespë, Bashkimi Demokratik për Integrim do ta nis fushatën zgjedhore me konventë promovuese të kandidatëve për deputetë, paralajmëroi sekretari i integristëve Artan Grubi, duke shtuar se fushata do të përfundojë në Ohër, po ashtu në ambient të hapur.
“Arsyeja pas kësaj përzgjedhjeje qëndron në përbetimin e BDI-së se do të jetë dalzotës i Marrëveshjes së Ohrit, asaj të Prespës dhe të fqinjësisë së mirë pasi që këto dokumente dhe procese janë themeli i shtetit tonë të përbashkët dhe i përcaktimit tonë euroatlantik. Kjo është edhe agjenda bazë e kryeministrit të parë shqiptar, integrim të plotë në Bashkimin Europian dhe barazi e plotë në të gjitha fushat: ekonomi, drejtësi,vende pune, cilësi e jetës” tha Grubi.
Ai shtoi se gjatë të gjitha tubimeve dhe aktiviteteve do të respektojnë maksimalisht rekomandimet për mbrojtje të shëndetit publik, ndërsa apeloi deri tek të gjithë aktivistët për kujdes dhe respektim të plotë të masave si dhe t’iu dalin në ndihmë qytetarëve në nevojë.
Grubi po ashtu tha se kjo fushatë nuk do të jetë e zakonshme, por do të jetë një lëvizje për kryeministrin e parë shqiptar, andaj ftoi të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të tjerë që t’i bashkangjiten lëvizjes dhe ta përkrahin atë me ide dhe kontribut. “Shtabet tona janë shtëpia juaj”, përfundoi ai./TV21