Nga frika në liri: Si VLEN-i çliroi zërin e qytetarëve shqiptarë

Shkruan: Florian Nesimi

Ka një fenomen që në shkencat politike quhet liberalizim i sferës publike. Ky term nënkupton lirinë e qytetarit për të shprehur mendimet dhe për të kritikuar pushtetin pa frikën e represionit apo pasojave personale. Por zakonisht ndodh që pushteti që nuk krijon frikë dhe represion te qytetarët, perceptohet si pushtet i dobët. Por në fakt ai pushtet po dëshmon pjekuri të lartë demokratike.

Në këtë kuptim, ardhja e VLEN-it në qeveri në vitin 2024 ka sjellë një ndryshim të dukshëm në aspektin e lirisë së shprehjes së mendimit. Qytetarët sot ndihen më të lirë të shprehin mendimet e tyre, të organizohen, të nënshkruajnë peticione dhe të kritikojnë hapur, diçka kjo që më parë nuk mund të imagjinohej për shkak të një frike të heshtur që ekzistonte te qytetarët. Qeverisja aktuale e VLEN-it nuk po ushtron të njëjtin presion apo kërcënim ndaj qytetarëve siç ushtronte pushteti i kaluar.

Në kohën kur BDI ishte pjesë e çdo qeverie (qoftë me LSDM-në apo VMRO-në), qytetarët shqiptarë jetonin me ndjenjën se nëse flasin lirshëm në opinion, pushteti do t’iu hakmerrej. Gjatë qeverisjes së kaluar, frika kishte forma shumë konkrete dhe të përditshme. Shumë qytetarë, sidomos të punësuar në administratën shtetërore, heshtnin ose shmangnin çdo kritikë publike nga frika se mund të përjashtoheshin nga puna, të mos avancoheshin, ose të humbnin të ardhura materiale në familjet e tyre. Pushteti i kushtëzonte qytetarët: “nëse je me neve, nesër mund të të punësojmë ty ose fëmijën tënd; por nëse kritikon, harroje punësimin”.

Kontrolli që BDI kishte ndaj shoqërisë si pasojë e frikës së heshtur të qytetarit të thjeshtë; forcohej edhe më tepër me heshtjen komode të një pjese të elitës intelektuale. Teksa administrata frikohej të mos e humb vendin e punës, shumë intelektualë zgjodhën të heshtnin jo nga frika, por nga joshja. Ata u akomoduan në kolltukët e pushtetit, duke pranuar privilegjet, titujt dhe favoret e ndryshme në këmbim të heshtjes së tyre. Pushteti iu thoshte intelektualëve: unë të jap ty privilegje, ti hesht dhe mos kritiko në publik.

Për dy dekada, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut jetuan në një lloj disipline politike ku kritika ndaj partisë në pushtet shpesh kishte kosto personale. Sot, me ardhjen e VLEN-it në pushtet, jemi dëshmitarë të një ndryshimi rrënjësor. Liberalizimi i sferës publike është fitorja më e madhe e vitit 2024. Fakti që njerëzit ndihen të lirë të kritikojnë pa pasur frikë nga ndëshkimi, tregon se kemi kaluar nga një regjim i kontrollit, në një qeverisje të butë që pranon kritikat dhe debatin. Sot, rrjetet sociale dhe sfera publike vlojnë nga peticionet dhe mendimi ndryshe, duke nxjerr në pah një guxim qytetar që për dy dekada ishte vënë në gjum nga presioni i pushtetit.

Kjo nuk do të thotë se VLEN-i është perfekt. Ka sfida të brendshme, e posaçërisht tensione në koalicion me partnerët maqedonas. Por fakti që qytetarët po kritikojnë hapur qeverinë pa pasur frikë nga hakmarrja e pushtetit, tregon se në shoqërinë tonë kemi të bëjmë me një progres real në sferën e demokracisë.

Sfida për ne si qytetarë është ta përdorim këtë liri jo vetëm për zhurmë, por për të ndërtuar një standard të ri të kritikës konstruktive. Dhe detyra jonë është që të mos lejojmë që në pushtet të rikthehen ata që përdornin metodat e vjetra të represionit dhe arrogancës së pushtetit mbi individin.