Nga 1 shkurti Enti Shtetëror i Revizionit do t’i kontrollojë pagesat në PSP

Nga 1 shkurti, Enti Shtetëror i Revizionit do të kontrollojë se si janë paguar kompensimet e larta në Prokurorinë Speciale Publike (PSP) tashmë të shuar. Sipas informacioneve nga Enti, nuk do të kryhet kontroll i plotë financiar, por vetëm baza e vendimit që prokurorët dhe punonjësit e tjerë, përveç pagave, të marrin shtesa prej mijëra eurosh. Revizioni në PSP është planifikuar në planin zyrtar të revizorëve për këtë vit.

Por, përveç revizorëve, procedurë parahetimore për parregullsitë e mundshme gjatë dhënies së shtesave ka ngritur edhe Prokuroria. Për shkak të fshehtësisë së procedurave, nuk u zbuluan detaje nëse ish shefja e PSP-së Katica Janeva dhe prokurorët e tjerë special janë thirrur për të dëshmuar për shtesat e larta.

Lënda për të cilën interesoheni është në procedurë parahetimore. Mblidhen provat e nevojshme materiale, analiza e të cilave do të ndihmojë në përcaktimin e mënyrës së pagesës së shtesave dhe shumës, si dhe për të sqaruar ngjarjen e përgjithshme. Në interes të procedurës prokuroria nuk mund të japë më shumë detaje – thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Në nenin 14 të Ligjit për PSP thuhet se prokurorët kanë të drejtë të kompensimeve për besueshmëri dhe rrezik, por nuk specifikohet sa duhet të jetë kompensimi. Kështu që, ish shefja e PSP-së, tani e akuzuar për rastin Reket, për katër vite ka marrë rreth 157,000 euro. E dyta në listë është Elizabeta Josifovska me 107 mijë euro. Pjesa tjetër e prokurorëve kanë marrë nga 72 dhe 94,000 euro. Por, përveç prokurorëve, punonjësit e tjerë në këtë institucion kanë marrë gjithashtu shtesa të larta në mënyrë që të mos japin detaje për punën në PSP.