New York, Viti i Ri festohet në Times Square

Qindra mijëra njerëz në metropolin amerikan New York e kanë festuar ndërrimin e motmoteve në sheshin e njohur Times Square përkundër temperaturave të ulëta, raporton Anadolu Agency (AA).

Që nga orët e mëngjesit të djeshëm, qindra mijëra persona filluan të mbushin sheshin duke kaluar nëpër pikat e kontrollit të vendosura nga Policia e New Yorkut (NYPD).

Policia nuk lejoi futjen e ombrellave dhe çantave të shpinës, duke marrë po ashtu masa të gjera të sigurisë.

Terence Monaha, shefi i policisë, tha se gjatë festimeve, mijëra policë me uniforma dhe civilë janë angazhuar në shesh dhe në stacionet e metrosë, ndërsa në gatishmëri kanë qenë edhe ekipet e antiterrorit, qentë k-9 për nuhatjen e bombave dhe automjetet e shërbimit emergjent.

Sheshi është ndjekur nga më shumë se një mijë kamera, kurse kohë pas kohe është kontrolluar edhe nga ajri përmes helikopterëve të policisë dhe dronëve me kamera termale 3D.

Tema e festimeve të këtij viti, që zgjatën nga ora 18:00 deri në ora 12:30, ishte “Ndryshimet klimatike”.

Gjatë mbrëmjes, shumë valltarë dhe artistë performuan në një koncert të organizuar në kuadër të festimeve, përfshirë këngëtarin Sam Hunt dhe grupin X Ambassadors.

Numërimi mbrapa filloi 60 sekonda para ndërrimit të viteve, kur kryebashkiaku Bill de Blasio së bashku me mësimdhënës dhe nxënës të zgjedhur të shkollave shtetërore shtypën sustën për të inicuar rënien 60-sekondëshe në shtyllë nga një lartësi prej 21 metrash të një kristali të përgatitur me mbi 32 mijë drita LED, me diametër 3,6 metra dhe peshë 5,5 tonë.

Të pranishmit, vitin e ri e pritën me brohoritje në shoqërimin e një spektakli me fishekzjarre dhe konfeti në peshë prej 1,36 tonësh.

Siç raportohet, festimet në Times Square u ndoqën nga afër një miliard njerëz përmes kanaleve televizive, portaleve të internetit dhe rrjeteve sociale.