Në Turqi deri sot janë regjistruar 1.133 qytetarë! Zvicra kampione në vet-regjistrim

6 mijë persona me shtetësi të Maqedonisë së Veriut jetojnë në Turqi, kështu tha në Click Plus Burhan Jakupi, njëri nga vullnetarët që ndihmon mërgimtarët në diasporë të regjistrohen.

Por deri më sot në Turqi janë regjistruar 1133 qytetarë.

Jakupi thotë se shumica e këtyre qytetarëve që jetojnë në Turqi gjatë regjistrimit janë deklaruar si turq.

“Diku afër 6 mijë duhet të jenë me shtetësi të Maqedonisë dhe nënshtetësi turke.

Për fat të keq ta quaj, disa shoqata që arritën para nesh, e bënë gabim apo s’di si ta quaj, ata që e bënë aplikimin i kanë shkruar si turq dhe jo si shqiptarë nga shkaku që ose nuk e kanë ditur ose qëllimet e tyre nuk i di”, tha Burhan Jakupi.

Jasmina Georgieva nga Enti Shtetëror i Statistikave tregoi se në cilin vend të Evropës po regjistrohen më së shumti qytetarët.

“Gjatë ditëve të fundit numri i të regjistruarve po rritet. Në vendin e parë janë shtetet e Evropës, Zvicra, Gjermania dhe Italia”, u shpreh Jasmina Georgieva nga Enti Shtetëror për Statistikë.

Kryeministri Zaev apeloi deri te të gjithë qytetarët e vendit që të regjistrohen, sepse siç tha, sipas statistikave të regjistrimit do të krijohen politikat dhe se nga regjistrimi varet edhe zhvillimi i komunave dhe ardhmëria e vendit.

“Nëse e prolongojmë për në vjeshtë, mund të kemi valë të njëjtë sikur tani, nëse e prolongojmë për një vit deri në pranverë mund të kemi valë të njëjtë sikur tani. Për këtë edhe njëherë e shfrytëzoj këtë rast të apeloj deri te të gjithë sepse në atë mënyrë e mbushim përgjegjësinë ndaj atdheut”, deklaroi Zoran Zaev – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Zaev tha se nëse në ndonjë komunë të caktuar infektimi është më i madh, aty regjistrimi mund të shtyhet për 14 ditë, por siç shtoi ky proces duhet të realizohet dhe nuk ka kthim. Sipas statistikave deri sot janë vetë-regjistruar 137.111 mërgimtarë që jetojnë dhe veprojnë në diasporë.