Ndryshon orari i lëvizjes në Shqipëri, Rama heq fashat orare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndryshon sërish regjimin e lëvizjes. Nga dita e nesërme orari i lëvizjes do të jetë 05.00 – 13.00. Ky do të jetë në vijim edhe orari i pikave të shitjes së ushqimeve, ilaçeve apo shërbimeve bankare, si edhe orari i punës së punonjësve të administratës.

Nga nesër në orën 13.00, gjatë gjithë ditës së dielë, deri të hënën në orën 05.00, do të jetë gjithçka e mbyllur, në të gjitha qendrat urbane të republikës së Shqipërisë.

Në rrugë do të jenë vetëm forcat e policisë, ushtrisë, njësive kritike të shërbimeve shtetërore dhe atyre të kompanive mediatike!

Rama thotë se nuk kemi asnjë orë e jo më ditë për të humbur me edukimin e të pabindurve, të cilëve shumë shpejt do të detyrohemi t’ua kthejmë me të njëjtën monedhë, jo vetëm duke i ndëshkuar me gjobat e sanksionet në fuqi po edhe duke u ndërprerë çdo lloj ndihme e shërbimi shtetëror.

Thirrjet për mirëkuptimin e tyre, vijon Kryeministri, po mbarojnë!

“Kjo është luftë dhe armiku nuk po largohet, por po afrohet çdo minutë! Prandaj mblidheni mendjen bashkë me mua që duhet të shtrëngojmë çdo ditë vidat e zinxhirëve mbrojtës, nëse nuk duam të na grijë si helmi mizat!”