Ndryshimi i emrave të rrugëve mbetet pezull, Qyteti i Shkupit nuk iu është përgjigjur Regjistrit Qendror

Qyteti i Shkupit tërhoqi nga rendi i ditës pikën e propozuar për shfuqizimin e vendimit për ndërrimin e emrave të rrugëve, por ende nuk dihet nëse rrugët, sheshet dhe urat e Shkupit do të mbajnë emra shqip. Por pse ky vendim që ishte miratuar në përbërjen e kaluar të Këshillit të Qytetit të Shkupit, nuk u zbatua deri sot. Nga Regjistri Qendror thonë se nuk kanë mundur menjëherë të veprojnë, për shkak se kërkesa nuk është bërë në përputhje me Ligjin për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera të infrastrukturës.

“Në bazë të kësaj Regjistri qendror nuk ka mundur të veprojë mbi kërkesën e dorëzuar. Pas përfundimit të regjistrimit të popullsisë dhe zgjedhjeve lokale është shqyrtuar kërkesa për ndryshim, por janë vërtetuar mungesa në të njëjtën, gjë për të cilën Qyteti i Shkupit është i informuar në mënyrë adekuate. Për momentin Regjistri Qendror pret dorëzimin e dokumentacionit të plotë”, thanë nga Regjistri Qendror.

Pasi që Regjistri Qendror pret përgjigje nga Qyteti i Shkupit, për të ndryshuar emrat e rrugëve, pyetëm Qytetin e Shkupit se a do ta ri dorëzoje edhe njëherë kërkesën me dokumentacionin e plotë. Nga atje nuk u përgjigjen në pyetjen konkrete, por përsëritën se vendimi është në miratuar në kundërshtim me ligjin.

“Vendimi i miratuar nga përbërja e kaluar e Këshillit të Qytetit të Shkupit për ndryshimin e emrave të rrugëve, nuk është zbatuar, ndërsa është sjell në kundërshtim me ligjin më 30 mars 2021, para fillimit të regjistrimit dhe zgjedhjeve lokale. Sipas nenit 8 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera të infrastrukturës. Ndryshimi i emrave nuk mund të bëhet 6 muaj para se të mbahen zgjedhje të rregullta presidenciale, parlamentare dhe lokale, dhe një vit para procesit të regjistrimit të popullsisë”, deklaruan nga Qyteti i Shkupit.