Ndërron jetë në moshën 99-vjeçare Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit Enver Hoxha

Është ndarë nga jeta në moshën 99-vjeçare Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit Enver Hoxha. Nexhmije Hoxha njihet edhe për ndikimin që ka pasur në jetën politike gjatë kohës së regjimit komunist. Hoxha ka ndërruar jetë në shtëpinë e saj në Laprakë. Nexhmije Hoxha ka marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Rinisë Komuniste të Shqipërisë, 22-23 nëntor të vitit 1941. Ajo kishte kryer funksione të larta partie dhe shoqërore. Në Kongresin e Parë të PKSH-së u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror. Për një kohë kishte qenë edhe presidente e Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë. Gjithashtu, ishte përfaqësuese e popullit në Kuvendin Popullor në të gjitha legjislaturat. Ka qenë drejtore e Drejtorisë së Propagandës. Në janar të vitit 1992 u arrestua me akuzën e abuzimit të fondeve dhe u dënua me 9 vjet burg, të cilat u bënë 11 kur ajo apeloi në gradën e dytë të gjykimit.