Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka folur rreth bisedimeve disa javësh me Lëvizjen Vetëvendosje rreth marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Në një intervistë dhënë për televizionin publik, Mustafa ka thënë se për LDK-në, posti i kryeparlamentarit ka qenë gjithmonë në interes të partisë së tij.
Sipas tij, LDK-në dhe Vetëvendosjen e dallon vetëm një deputetë dhe për këtë arsye partia e tij, meriton që të ketë edhe një person në pozitë udhëheqëse.
“Ne kemi pranuar që pozita kryesore, qeverisje të vendit që është kryeministri ti takojë Vetëvendosjes. Ne kemi thënë që do të ishte shumë korrekte që ju nëse e keni udhëheqësin e ministrive, edhe ne ta kemi kryeparlamentarin që të udhëheq me deputetët pasi që kemi 28 deputetë…. dhe ne e kemi vetëm të propozuar presidentin, por nuk do të jetë nga LDK, por do të jetë njeri i cili do të përfaqësojë qytetarët e vendit, do të jetë president uniteti. LDK-së i ka interesuar nga fillimi posti i kryeparlamentarit sepse është ndjekur nga parimi që ta ketë një pozitë udhëheqëse derisa të vijë te presidenti sepse ne nuk është që kemi aq dallim me Vetëvendosjen sepse ne i kemi 28 deputetë”, u shpreh Mustafa.
Mirëpo në lidhje me postin e presidentit në të cilën është duke këmbëngulur që nga fillimi LDK-ja, Mustafa, ka thënë se nuk është çështje se a duhet të lëshoj pe apo ajo partia e tij, por është fjala për parime në të cilat LDK ka hyrë në negociata me Vetëvendosjen qysh në fillim.
Mustafa po ashtu në këtë intervistë, ka thënë se, nuk duhet që as LDK-ja e as Vetëvendosje që për ambicie dhe apetite politike të vihet Kosova në një pozitë siç është tani.
“Nuk duhet të lejojmë që ta sjellim vendin në një situatë në të cilën është për ambicie e apetite politike”, u shpreh ndër të tjerash Mustafa.