Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.
Ai me këtë rast falënderoi diplomatin gjerman për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë Gjermania Kosovës në të gjitha proceset.
Po ashtu, kryetari Mustafa e njoftoi ambasadorin Heldt për rrjedhën e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje drejt formimit të koalicionit qeverisës. Ndërsa, diplomati Heldt falënderoi kryetarin Mustafa për pritjen dhe bashkëpunimin dhe shprehu gatishmërinë që ky partneritet të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ndryshe, ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë ka kërkuar dje formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re, për të cilën tha se e presin shumë detyra në të ardhmen.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë ende në bisedime për arritjen e një marrëveshje të mundshme rreth formimit të qeverisë së re, por deri më tash nuk ka asgjë konkrete edhe pse një gjë e tillë ishte pritur të ndodhë.