Mustafa i ashpër me eurodeputetën gjermane: Ajo nuk duhet të përzihet dhe t’ia mbaj anën një partie në Kosovë

Eurodeputetja gjermane dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon Taubadel, në mënyrë të vazhdueshme ka kundërshtuar mocionin e organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti. Cramon kishte thënë se LDK duhet të mos e procedojë një mocion të tillë meqenëse rrëzimi i Qeverisë në kohën e pandemisë do të ishte një katastrofë për Kosovën.

Lidhur me deklarimet e eurodeputetes gjermane në një intervistë për emisionin ‘Click’ të RTV 21 ka folur kreu i LDK’së, Isa Mustafa, sipas të cilit, deklarimet e Cramon janë të pashembullta meqë thotë se nuk është roli i saj që të përzihet në situatën politike në vend.

“Unë e shoh tash edhe një ndërhyrje shumë të madhe të përfaqësueses në Parlamentin Evropian.Për mua është totalisht e pa drejtë, e pa shembullt, sepse nuk është roli i saj që ajo tani të përzihet në situatën politike dhe të vlerësoj se janë të papërgjegjshëm 2/3 e deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës që kanë vendos për mocionin e mosbesimit, sepse është përgjegjësi shumë e madhe që një fuqi të tillë të parlamentit ta shpallësh të papërgjegjshëm”, ka thënë Mustafa.

Kryetar i LDK’së ka thënë se Cramon me qëndrime të tilla ka treguar se anon plotësisht nga një parti politike dhe se nuk përfaqëson ashtu siç duhet interesat e Kosovës në Parlamentin Evropian.

“Duket që është një anim krejtësisht partiak, dhe jo një përfaqësim ashtu siç duhet i interesave të Kosovës në Parlamentin Evropian”, ka shtuar tutje Isa Mustafa.

Në këtë intervistë Mustafa ka folur gjithashtu edhe për demarshin e inicuar nga Gjermania dhe Franca drejt LDK’së për të shmangur rrëzimin e Qeverisë. Mustafa ka thënë se gjatë kohës sa ka qenë kryeministër nuk ka kërkuar asnjëherë që ndonjë shtet t’i dërgojë demarsh ndonjë partie politike, edhe pse thotë se në Kuvend është gjuajtur gaz lotësjellës e janë bërë veprime të tjera të dhunshme.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë ndarë rrrugën e bashkëpunimit vetëm pas 52 ditë bashkëqeverisje si pasojë e mospajtimeve të shumta rreth çështjes së dialogut, taksës e punëve e raporteve me SHBA’në. Pavarësisht kërkesave të Gjermanisë e Francës, LDK nuk ishte zmbrapsur në vendosjen e mocionit në Kuvend, që u përkrah nga 2/3 e deputetëve e që rezultoi me rrëzimin e Kurtit nga pushteti.