Mujdin Aliu – Lulja e Koshares (VIDEO)

Para bustit të dëshmorit të kombit Mujdin Aliu, në Poroj të Tetovës po e përkujtojnë veprën e tij. Në ditëlindjen e 46 të Heroit të Kosovës, babai Qerimi po mundohet të heq mallin me bashkëluftëtarin e të birit, Qahil Veselin. “Tash e 20 vite nuk më ze vendi kur është ditëlindja e tij. Mundohem t’i takoj shokët e Mujdinit dhe të heq aq sa mundem mërzinë për të birin”, thotë babë Qerimi, në prononcimin ekskluziv për gazetën LAJM.

Mujdin Aliu – Lulja e Koshares (VIDEO) Babë Qerimi rrëfen për Lajm historinë e të birit që u bë Hero i Kosovës

Mujdin Aliu – Lulja e Koshares (VIDEO)Babë Qerimi rrëfen për Lajm historinë e të birit që u bë Hero i Kosovës

Posted by Lajm TV on Wednesday, January 15, 2020

Mujdini ishte djali i vetëm i familjes. E, babë Qerimit i ka mbetur peng që nuk i la një trashigimtarë.

Për shkak të padrejtësive të shumta ndaj familjes, por edhe në përgjithësi ndaj shqiptarëve në Maqedoni e Kosovë, Mujdini që në moshë shumë të re ka qenë i preokupuar vetëm me çështjen kombëtare, thotë babai i tij Qerimi.

Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mujdin Aliu, iu bashkangjit në vitin 1998, ndërsa dëshmorë ra një vit më vonë, në Koshare, gjatë luftimeve të ashpra me ushtrinë serbe. Bashkëluftëtari i tij, Qahil Veseli, kujton momentet e shkuarjes në luftë dhe rënien e dëshmorit Mujdin Aliu.

Në rrëfimin e tij ekskluziv për gazetën LAJM, Qahil Veseli rrëfen edhe për amanetin e Mujdin Aliut. “Vetëm disa ditë para se binte dëshmorë, Mujdini na tha që trupin t’ia kthejmë në vendlindje, në Poroj të Tetovës. Ai ishte i vendosur të sakrifikonte gjithçka për çlirimin e Kosovës”, thotë Qahili, ka qenë në frontin e luftimeve bashkë me Mujdinin.

Lajmi për rënien e tij nuk ishte aspak i lehtë për familjarët e Mujdinit, por babë Qerimi thotë se pavarësisht dhimbjes së madhe, ai dhe nëna e Mujdinit nuk kishin derdhur asnjë pikë loti.

Sot, Mujdin Aliu prehet në varrezat e dëshmorëve në qendër të fshatit Poroj të Tetovës. Pranë tij janë edhe varret e dëshmorëve që në luftën e vitit 2001 në Maqedoni, luftuan në Brigadën 112 që mbante emrin e tij.

Dëshmori i kombit Mujdin Aliu, ra me 14 prill të vitit 1999 në betejën e njohur të Kosharës në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke luftuar kundër forcave pushtuese serbe./Gazeta LAJM

Gazetar: Reshat Ibrahimi, operator: Amir Idrizi