MSH: Shtretër të lirë ka pothuajse në të gjitha qendrat, nëse ka nevojë për kapacitete shtesë do të zgjerohen edhe më tej

Në qendrat rajonale Manastir dhe Shtip dhe në spitalet tjera në vend – mjekohen gjithsej 682 pacientë pozitivë dhe të dyshimtë me Kovid. Ka vende të lira në pothuajse të gjitha qendrat. Në spitalet në brendësi ka rreth 70 shtretër spitalorë të lirë dhe bëhen lëshime të pacientëve të shëruar, me çka do të lirohen shtretërit shtesë, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Sipas raporteve të spitaleve që vijnë çdo ditë, siç theksojnë nga Ministria, 68 pacientë pozitivë dhe të dyshimtë të Kovid-19 janë të shtruar në spitalin e Manastirit. Në spitalin e Shtipit janë pranuar pesë pacientë dhe gjithsej 59 pacientë janë të shtruar në spital. Në Repartin e Sëmundjeve Infektive në Tetovë ka 51 pacientë, në Veles mjekohen 75 pacientë dhe 66 pacientë në Kumanovë. Në Qendrën Kovid në Ohër janë të hospitalizuar 94 pacientë, 80 pacientë në Prilep, në Qendrën Kovid në Gostivar 38 pacientë dhe 37 pacientë në Strugë. Në Spitalin në Strumicë janë të hospitalizuar 22 pacientë, në Koçan 19, në Kërçovë 19, Kavadar 42 dhe në Gjevgjeli 12 persona pozitivë për koronavirusin. Shifrat ndryshojnë nga ora në orë, sipas pranimeve dhe lëshimeve të pacientëve.

Përndryshe, të gjitha pavijonet e spitaleve klinike kanë pajisje për furnizimin me oksigjen. Përkundër fluksit të madh të pacientëve në dhjetë ditët e fundit, Ministria e Shëndetësisë është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha spitalet dhe nëse është e nevojshme, kapaciteti i kovid departamenteve do të zgjerohet më tej, qëndron në kumtesë.