MPJ-ja dërgon këshilltarë ekonomikë jashtë vendit për promovim të diplomacisë ekonomike

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot në konferencën për shtyp paralajmëroi se RMV-ja po dërgon këshilltarë ekonomikë jashtë vendit, të cilët do të veprojnë brenda misioneve tona diplomatike dhe konsullore dhe do të jenë përgjegjës për përfaqësim profesional dhe efektivë të interesave tona ekonomike në vend dhe rajon, si dhe në mbulimin dhe ndërtimin gradual të një marke të re të njohur në sytë e publikut ndërkombëtar, veçanërisht para komunitetit të biznesit.

“Koncepti i ri i diplomacisë ekonomike do të bazohet në strategji të shëndoshë, të qartë dhe precize për marrëdhëniet ekonomike me vendet e huaja. Potencialet e eksportit, fuqia e disponueshme e punës, kapacitetet, toka dhe burime të tjera për investime të huaja. Në bazë të këtyre inputeve, do të përcaktohet përmbajtja dhe qëllimet gjeografike të diplomacisë ekonomike. Stafi i profilizuar ekonomikisht, këshilltarët ekonomikë do të drejtohen në ato vende ku ka potencial real për rritje të bashkëpunimit ekonomik. Vendet me potencialin më të madh për investime janë vendet që janë gjeografikisht të afërta ose kanë interes të theksuar ekonomiko-gjeografik, vende me potencial për turistë e kështu me radhë”, tha Osmani.

Ai deklaroi se për sukses më të madh të projektit, planifikojnë në fazën e parë, gjatë vitit 2021, bazuar në analizën e ekspertëve, ndërsa synojnë disa vende evropiane dhe disa jo-evropiane me potencialin më të madh për bashkëpunim.

“Këshilltarët ekonomikë do të zgjidhen nga radhët e diplomatëve të lartë nga Ministria e Punëve të Jashtme, ekspertë nga administrata publike me portofol ekonomik dhe nëse është e nevojshme, ekspertë nga sektori privat dhe publik. Të gjithë ata, pa përjashtim, do t’i nënshtrohen trajnimit të gjerë teorik operacional dhe profesional mbi tiparet dhe karakteristikat e ekonomisë sonë, specifikat e tregut tonë, kapacitetet e ekonomisë sonë dhe mundësitë e sektorit të turizmit”, theksoi Osmani.

Ministri i Punëve të Jashtme theksoi se ambiciet e tij në katër vitet e ardhshme janë që diplomacia të fitojë një përbërës shtesë, një tipar të ri ekonomik, i cili do të jetë, siç tha ai, “një rol më praktik, më i dukshëm dhe më fitimprurës”.

“Bëhet fjalë për diplomacinë ekonomike, një pjesë e rëndësishme e politikës së jashtme të vendit, e cila besojmë se duhet të rinovohet, forcohet dhe të ngritët si një nga përparësitë kryesore të vendit”, tha mes tjerash Osmani.