MPB me detaje rreth aksidentit tragjik në Tetovë

Ministria e Punëve të Brendshme gjatë ditës së sotshme ka dhënë informacione shtesë në lidhje me aksidentin në Banjë të Tetovës ku jetën e humbi një grua.

MPB njofton se aksidenti ka ndodhur rreth orës 23:00 ndërsa si pasojë e përplasjes jetën ka humbur një grua 44 vjeçe derisa janë plagosur tre persona tjerë.

Aksidenti ka ndodhur kur makina e tipit “Mercedes” me targa të Tetovës që po drejtohej nga SH.G.(32) nga Liseci ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në luginën e përroit.

“Në vendngjarje për shkak të plagëve të marra jetë ka ndërruar M.K.(44) nga Tetova. Plagë të rënda marrë edhe bashkudhëtari SH.K(19) nga Tetova, kurse E.B.(34) dhe drejtuesi i makinës janë lënduar lehtë, ndërsa të gjithë janë dërguar në Klinikën e Tetovës”, tha Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB-Tetovë.

Në vendngjarje hetime ka kryer ekipi i SPB-Tetovë. Trupi i pajetë me urdhër të prokurorit është dorëzuar për autopsi.