Moti i ftohtë pengon shpërndarjen e vaksinave në SHBA

Stuhi të mëdha dimërore, i ftohti ekstrem dhe ndërprerja e energjisë elektrike detyruan mbylljen e më shumë se 2 mijë qendrave të vaksinimit dhe vonuan shpërndarjen e 6 milionë dozave të vaksinës në 50 shtetet amerikane gjatë kësaj jave.

Kështu tha këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë Andy Slavitt gjatë një konference shtypi.

Një pjesë e madhe e Shteteve të Bashkuara u përfshi nga moti ekstrem gjatë javës së fundit.

Reshtje të mëdha dëbore dhe temperatura të ftohta si rallë më parë goditën Oklahomën dhe Arkansasin si dhe shkaktuan ndërprerje energjie në Teksas.

Stuhitë u bënë pengesë në përpjekjet e administratës së presidentit Biden për shpërndarjen e vaksinave.

Në fillim të muajit, më shumë se 1.5 milion doza po shpërndaheshin mesatarisht në ditë.

Moti i ashpër bëri që presidenti Biden të shtynte vizitën nga e enjtja në të premten në Kalamazu të shtetit Miçigan, për të parë nga afër fabrikën e kompanisë Pfizer që prodhon vaksinat kundër koronavirusit.

Moti po përmirësohet dhe po rifillon me ritmet e mëparshme dërgimi i vaksinave me 1.4 milionë doza vetëm të premten, tha zoti Slavitt.