Gjykimi për rastin “Monstra” për herë të tretë do të nisë nga fillimi, por kësaj radhe formalisht, pasi të gjitha palët kanë rënë dakord rasti të fillojë aty ku ka mbetur me thirrjen e dëshmitarëve të rinj. Ish kryeministri Zoran Zaev do të duhet të dëshmojë dhe të flasë për mënyrën se si i ka marrë bisedat e përgjuara për Monstrën. Me kërkesë të prindërve të fëmijëve të vrarë në Liqenin e Smilkovës, do të lëshohet edhe regjistrimi i fjalimit të Zaevit për “Monstrën” në foltoren e Kuvendit në vitin 2018. Do të dëshmojë edhe Zvonko Kostovski, i cili e zbuloi aferën e përgjimit. Për të dëshmuar janë thirrur edhe Zoran Trajkovski si njeri i cili mund të dijë diçka për vrasjen, Zoran Vellkovski i cili e ka paraqitur ngjarjen në polici dhe Ljupço Todorovski – Radnik. Prindërit kërkojnë të dëshmojë edhe Sinisha Aleksovski, këshilltari i ish-presidentit Ivanov dhe dy anëtarë të njësitit Alfa, të cilët të parët erdhën në Liqenin e Smillkovës. Gjykimi rifillon më 3 shkurt.
Edhe nga Gjykata Penale janë të kënaqur që procesi nuk do të zvarritet.
Për hir të efikasitetit të procedurës, parimit të gjykimit brenda një kohe të arsyeshme, dhe para se gjithash të drejtat dhe detyrimet e garantuara me Kushtetutë të të pandehurve dhe palës së dëmtuar në procedurë, mbrojtja u pajtua që në vend se të rishpalosen provat sërish, gjykimi të fillojë formalisht nga fillimi vetëm duke shënuar të gjitha deklaratat dhe dëshmitë e deritanishme në procesverbalin e ri, me çka seanca vazhdon aty ku ka mbetur më parë, me paraqitjen e provave të reja dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve të rinj”-thonë nga Gjykata Themelore.
Gjashtë persona janë akuzuar për vrasjen e pesëfishtë në rastin “Monstra” në Liqenin e Smillkovës. Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviç janë në arrati. Avokati Raufi sot e anuloi autorizimin e tyre dhe ata do t’i përfaqësojë një avokat sipas detyrës zyrtare./Alsat