Gjithçka ndodhi mbrëmjen e 18 dhjetorit të vitit që lamë pas. Mediat kishin raportuar për një rast të një vdekjeje të dyshimtë në afërsi të Liqenit të Badocit, ku policia kishte gjetur një trup të pajetë brenda një veture, shkruan lajmi.net.
Pak më vonë u mor vesh se viktima ishte Nazmi Rrustemi, inspektor i pyjeve në komunën e Prishtinës, teksa i njëjti sipas dyshimeve ishte vrarë me armë zjarri.
Faktikisht, gjithë misteri i ngjarjes nisi pas vrasjes së tij. Më shumë se dy javë më vonë, u bë e ditur se i njëjti ka qenë dëshmitar i Speciales, dhe se gjithçka që ndodhi mund të jetë e ndërlidhur me dëshminë që ai kishte dhënë disa muaj para se të vritet.
Nga Prokuroria e Specializuar e Hagës shprehen të prerë në këtë çështje.
Në pyetjen e lajmi.net, se a ishte Nazmi Rrustemi dëshmitar i këtij institicioni, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Christopher Bennet thotë se për çështje nuk e kanë ASNJË koment.
“Faleminderit për komunikimin. Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka asnjë koment lidhur me këtë çështje”, është e gjitha çfarë thonë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
E se Nazmi Rrustemi ishte intervistuar nga prokurorët e Hagës, në dijeni kishin qenë vetëm familja e tij, ndërsa për këtë nuk kishin qenë të informuar as nga OVL e UÇK-së.
Nasim Haradinaj, nënkryetar i OVL-së, për lajmi.net tha sot se organizata ku ai bën pjesë s’kishte qenë në dijeni se Rrustemi është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.
“Jo, OVL e UÇK-së nuk ka qenë e informuar për këtë, faktikisht edhe ne e kemi pa për herë të parë nga mediat”, ka thënë Haradinaj.
Sidoqoftë, nënkryetari i OVL-së, nuk beson se vrasja e Nazmi Rrustemajt, ka të bëj diçka me dëshminë e dhënë në Hagë.
Duke folur nga përvoja e tij si drejtor i Pylltarisë, Haradinaj thotë se kjo kategori janë edhe më të rrezikuar se vetë policët, dhe se kjo ka të bëj kryesisht me gjendjen e rëndë ekonomike, si dhe dukurinë e vjedhjeve të pyjeve.
“Sidoqoftë, nga përvoja ime 11 vjeçare si drejtor i pyjeve, unë them se pylltarët janë edhe më të rrezikuar se policët, bazuar në gjendjen e rëndë ekonomike, si dhe dukurinë e vjedhjeve të pyjeve. Sipas mendimit tim, hetimet do të tregojnë se vrasja nuk ka pasur të bëj me dëshminë e tij në Hagë, dhe besoj që është ashtu, dhe nuk ka logjikë të jetë ndryshe. Nuk mendoj që dikush do të priste 20 vite, ta lë dikë të flasë përgjatë kësaj periudhë e pastaj ta ndërmarrë këtë veprim”, ka thënë Haradinaj.
E nëse informacioni se Nazmi Rrustemi ishte dëshmitar i Speciales qëndron, atëherë vrasja e tij mund të shërbejë si precedent që të ftuarit e rradhës në këtë cilësi, të largohen nga Kosova me kërkesë të organit ndjekës të Hagës.
Avokati i akredituar nga Specialja, Teki Bokshi, thotë se Specialja ka të gjitha mekanizmat që ta bëj një gjë të tillë.
“Specialja ka të gjitha mekanizmat e mundshëm. Ata përveç dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, preteksti kryesor ka qenë me ngrit mekanizma për mbrojtjen e dëshmitarëve, ku përfshihet edhe largimi nga Kosova, me pretekstin se ata janë të rrezikuar në Kosovë”, ka thënë avokati Bokshi.
Aktualisht, kjo çështje është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Këta të fundit për lajmi.net shprehen se janë duke u zhvilluar të gjitha hetimet e nevojshme për rastin në fjalë.
Ata nuk japin informacione shtesë, lidhur me atë se nëse është duke u hetuar edhe pista e dëshmisë së tij të dhënë në Speciale, ngase siç shprehen ata, kjo mund ta dëmtoj procesin hetimor.
“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, mund t’ ju konfirmojmë se janë duke u zhvilluar të gjitha hetimet për ndriçimin e rastit në fjalë. Çdo informatë tjetër mund ta dëmtoj procesin hetimor, prandaj, në këtë fazë nuk mund të japim informata shtesë”, kanë thënë nga Prokuroria e Prishtinës në një përgjigje për lajmi.net.
Ndryshe, Specialja e ka nisur me vrullin e njëjtë punën e saj edhe në vitin 2020.
Vetëm brenda dy javëve, institucioni hetues i Hagës në Kosovë ka dërguar ftesa për 8 ish-pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë edhe deputetët e PDK-së, Ferat Shala Elmi Reçica.