Ministrja serbe e Integrimit: Pas heqjes së sanksioneve jemi gati për dialog

Beogradi është i gatshëm të rifillojë dialogun me Prishtinën tani që pala shqiptare hoqi sanksionet tregtare ndaj Serbisë. Deklarata është bërë nga ministrja serbe e Integrimit, Jadranka Joksimoviç, e cila në një intervistë për Euronews ka nënvizuar se Serbia në këtë proces mbron interesat e saj legjitime.

“Pas heqjes së tarifës çfarë duhet të bëjmë ne, t’i duartrokasim? Marrja e kësaj mase ishte shkelje e marrëveshjes së CEFTA-s dhe asaj të MSA-së që Prishtina ka me BE-në. Heqja e saj ishte një parakusht për vazhdimin e dialogut. Ne nuk kemi qenë kurrë kundër tij. Përkundrazi, mendoj se Beogradi ka treguar angazhim”, është shprehur Jadranka Joksimoviç, ministrja e Integrimit e Serbisë.

Joksimoviç ka theksuar se në asnjë rrethanë Beogradi, që e konsideron Kosovën çështje të identitetit kombëtar, do të pranojë negociata me rezultat të paracaktuar.

“Unë mendoj se është e rëndësishme të kuptohet, dhe për këtë ne hymë në procesin e dialogut, se të dyja palët kanë interesat e tyre legjitime. Pra, negociatat nuk janë të tipit “ne e dimë cili do të jetë rezultati dhe na duhen disa negociata fiktive”. Jo!”, ka thënë ajo.