Zaimi: Kjo është marrëveshja që duan të arrijnë Thaçi-Vuçiq pasi ta rrëzojnë Vetëvendosjen

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje Arbër Zaimi, ka thënë se marrëveshja mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe atij serb Aleksandar Vuçiq ekziston dhe është në dëm të Kosovës.

Si dëshmi për këtë, ai ka përmendur deklaratën e nënkryetarit të LDK-së Lutfi Haziri dhe gazetarit Baton Haxhiu, përcjell Bota sot.

Haziri ka pohuar se në marrëveshje, Kosova duhet të jap diçka, ndërsa Haxhiu, të cilin Zaimi e ka quajtur “sekser të Beogradit”, ka pohuar se në marrëveshje përfshihet amnistia për “krimet e bëra nga të dyja vendet”.

Zaimi ka thënë se se përmes marrëveshjes, po duan ta rrëzojnë fituesin legjitim të zgjedhjeve të 6 tetorit, Vetëvendosjen.

Postimi i Zaimit në Facebook:

Siç u bë e qartë, marrëveshja Thaçi-Vuçiq ekziston dhe është e keqe. Në dëm të Kosovës, në të mirë të kriminelëve.

Lutfi Haziri pohoi në emision se në atë marrëveshje “diçka duhet të jepet”, pra dera e copëtimit të Kosovës është ende e hapur, nëse i lejojmë.

Baton Haxhiu, sekseri i Beogradit, pohoi në emision se marrëveshja përfshin amnisti për “krimet e bëra nga të dyja vendet”, duke treguar se ai dhe bossat e marrëveshjes besojnë se ka patur krime të bëra edhe nga Kosova. Amnistia që thotë Batoni, dmth. që kurrë të mos ketë drejtësi për rreth 12.000 të vrarë e rreth 20.000 të dhunuar gjatë përpjekjes serbe për shfarosjen e shqiptarëve.

Kjo është marrëveshja që duan të arrijnë pasi ta rrëzojnë fituesin legjitim të zgjedhjeve, LV-në: falje territori të pasur me minerale të rëndësishme, dhe falje e krimeve çnjerëzore të luftës.