Ministri izraelit: Synojmë t’i nxjerrim forcat iraniane nga Siria brenda 12 muajve

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Naftali Bennett, tha se vendi i tij ka për synim nxjerrjen e forcave iraniane nga Siria brenda 12 muajve, transmeton Anadolu.

Bennett, në intervistën për gazetën “Jerusalem Post”, dha deklarata në lidhje me politikën e Izraelit kundrejt Iranit.

Ai tha se nuk ka asnjë arsye për praninë e Iranit në Siri. “Nuk ka asnjë arsye për vendosjen e Iranit pranë Izraelit. Vendosa si synim largimin e Iranit nga Siria brenda 12 muajve. Në një të ardhme të afërt do ta nxjerrim Iranin nga Siria”, tha ai.

Mediat izraelite njoftojnë se që nga viti 2013 Izraeli ka sulmuar shumë shënjestra në Siri, përfshirë edhe ato të Iranit. Edhe pse Rusia dhe regjimi i Bashar al-Assadit thonë se sulmet në fjalë i kryen Izraeli, qeveria e Tel Aviv-it preferon të mbetet e heshtur.