Ministri i PDSH-së i propozon Qeverisë punësim me vendim të të gjithë mjekëve dhe teknikëve medicinal

Ministri pa portofol që vjen nga radhët e PDSH-së, Bardhyl Dauti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ka propozuar që “urgjentisht të mundësohet punësim me vendime pune të të gjithë mjekëve të diplomuar, stomatologë, infermierë, motra medicinale të cilët janë të papunësuar”.

Këtë përmes një kumtese e bën të ditur PDSH, ku gjithashtu shkruajnë se nëse realizimi i kësaj ka implikime buxhetore, propozojnë që të ndërpriten të gjitha kontratat në vepër të personave të cilët janë angazhuar para kampanjës zgjedhore.

PDSH pret që propozimi të marrë përgjigje pozitive në eksekutiv.

Një propozim të tillë e përmendi edhe vetë kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi në konferencën për shtyp që e mbajti sot në selinë e partisë në Tetovë./TV21