Minishengeni: Zijadin Sela kundër, Ali Ahmeti në një vijë me Ramën e Vuçiqin!

Krijimi i të ashtuquajturit “Mini Shengen” ballkanik, ka shkaktuar ndarje në kampin politik shqiptar në Maqedoni.
Deri sa kryetarii BDI-së, Ali Ahmeti rreshtohet në një linjë me Ramën dhe Vuçiqin, duke vlerësuar se kjo ide është e dobishme për shqiptarët dhe rajonin, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, vlerëson se përmes kësaj ideje zgjerohet ndikimi rus në Ballkan.

Ahmeti: “Marrëveshje që do i lehtëson Shqiptarët”

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë një takimi me mërgimtarët në shkollën e Zhelinës është pyetur nga njëri prej të pranishmive lidhur me mini- shengenin Ballkanik.
Ahmeti ka thënë se “kjo marrëveshje po keqpërdoret nga disa që nuk ia duan të mirën vendit, sepse flitet për një marrëveshje që do i lehtëson Shqiptarët e vendit ku do largohen kufijtë Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, dhe qytetarët do kenë transport të lirë të tyre dhe mallrave, sepse kësaj marrëveshje i qëndrojnë pas dhe përkrahin SHBA dhe Europa dhe duke pasur për qëllim qetësinë dhe stabilitetin e vendit dhe largimin e mundshëm të çdo lloj konflikti në rajon”.

Sela: Serbia po i mundëson Rusisë të shtrihet në vendet e rajonit përmes “mini shengenit”
Lideri i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Ziadin Sela thotë në një intervistë për KosovaPress se nisma rajonale, e quajtur minishengen ballkanik, është skandal për faktorin politik shqiptar kudo që jeton. Sipas tij, përmes kësaj nisme, Serbia po i mundëson Rusisë të shtrihet në vendet e rajonit, ndërkohë që shqiptarët vazhdimisht bënin përpjekje të largonin influencën ruse nga Ballkani.
Sela u ka bërë thirrje politikanëve të Kosovës që sa më parë të formojnë Qeverinë, në mënyrë që të mund t’i përgjigjen institucionalisht kësaj nisme.
Sela thotë se kjo nismë rajonale, krahas zhvillimeve të fundit, dhe deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, ka bërë të shqiptarët të flasin me vete dhe të ndjehen të irrituar.
Ai kujton çështjet me të cilat u përballë Maqedonia e Veriut kohët e fundit, përfshirë këtu ndryshimet kushtetuese dhe marrëveshjen me Greqinë, duke thënë se faktori politik shqiptar çdoherë u mundua për largimin e influencës ruse nga Ballkani.
Sipas tij, një nismë e tillë rajonale vetëm sa e sjellë Rusinë në vendet e rajonit.
Sela shton se nëse nismat rajonale nuk i kanë të përbashkëta orientimet strategjike të vendeve, ato nuk mund të funksionojnë.
Por ai thotë se qëndrimi i faktorit politik në Kosovë krahas kësaj nisme, duke refuzuar pjesëmarrjen, është i drejtë, meqë ende ka plagë të pashëruara të shqiptarët.