Minatorët e “Trepçës” në grevë, nuk i kanë marrë ende pagat e tetorit

Minatorët e minierës së “Trepçës” në Stantërg kanë ndërprerë punën në këtë minierë për shkak të mos marrjes së pagave për muajin e kaluar.

Disa prej tyre po qëndrojnë në hapësirat e restorantit, ndërsa te tjerët në oborrin e kësaj ndërmarrjeje.
Lexo Edhe:
YIHR: Rajko Kozllina, i dënuar për krime lufte në Kosovë, e ka vendin në burg e jo në ushtrinë serbe

Gani Osmani, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të kësaj miniere, ka konfirmuar për KP se minatorët janë në grevë, duke bërë të ditur se arsyeja e vetme për ndërprerjen e punës janë pagat.

Sipas tij, që nga dita e djeshme ndërrimi i dytë dhe i tretë nuk kanë punuar dhe atyre u është bashkangjitur sot edhe ndërrimi i parë, ndërsa tha se kjo gjendje do të vazhdojë derisa të mos zgjidhet ky problem.

“E vetmja arsye pse jemi në grevë janë pagat e muajit tetor. Kemi biseduar me menaxherin i cili na ka thënë se për momentin nuk ka mjete. Nuk dimë kur do t’i marrim pagat, por deri atëherë ne nuk do të punojmë”, ka thënë Osmani.