Mijëra arrestime në protestat për ligjin e nënshtetësisë

India vijon prej ditësh të përballet me protesta qytetare kundër ligjit diskriminues për emigrantët myslimanë. Mijëra protestues u ndaluan nga policia për pjesëmarrje të paligjshme në tubime, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka refuzuar të shprehet deri muajin e ardhshëm.

Policia indiane shoqëroi të enjten mijëra qytetarë që nuk iu bindën urdhrit për të mos protestuar kundër ligjit për nënshtetësinë.

Me arsyen e garantimit të ligjit dhe të rendit, burra e gra u morën me forcë brenda autobusave të policisë, mes britmave të qytetarëve, studentëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile.

Të enjten në kryeqytetin Nju-Delhi u raportua trafik i rënduar si pasojë e barrikadave policore, pezullimi i stacioneve të metrove dhe demonstratat qytetare.

Në mënyrë që të ndalnin mobilizimin, në disa prej qyteteve të mëdha raportuan ndërprerje të internetit në celular.

Shkak për revoltën popullore është bërë ligji që diskriminon emigrantët e besimit islam duke u mohuar atyre nënshtetësinë në rast se përndiqen nga tri shtete me shumicë myslimane si Pakistani, Bangladeshi dhe Afganistani.

Kritikët shprehen se nisma ul pozitën shoqërore të myslimanëve indianë edhe pse ata numërohen në gati 200 milionë.

Gjykata Kushtetuese e ka shtyrë për në janar vlerësimin e kushtetutshmërisë së legjislacionit, ndërsa kryeministri i vendit, Narendra Modi, ka bërë të qartë se ligji nuk ka efekt te asnjë nga komunitetet besimtare të vendit.