Mickovski kërkon falje për veprat e Gruevskit dhe Mijallkovit, BDI ende jo!

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski nga Tashmarunishtja e Strugës, kërkoi falje për gabimet e bëra nga VMRO DPMNE deri më tani dhe akuzoi ata që kërkojnë dorëheqjen e tij, duke i quajtur jeniçerë.

“Dhe sot ata që janë barra e VMRO-DPMNE-së i drejtohen në mënyrë të ashpër VMRO-DPMNE-së. Jam i vetëdijshëm plotësisht për veprimet e tyre nga e kaluara dhe plotësisht i vetëdijshëm se pikërisht këto jeniçerë të etur për qeveri ishin edhe barra e partisë. Dua të theksoj qartë dhe pa mëdyshje se unë si lider i VMRO-DPMNE-së, i kërkoj falje popullit për të gjitha gabimet dhe padrejtësitë që kanë bërë këta njerëz”, deklaroi Hristian Mickoski – lider i VMRO-DPMNE-së.

Kjo deklaratë si duket i dedikohet kryesisht politikave të Sasho Mijallkovit, sepse nga përkrahësit e tij erdhi reagimi i parë ndaj Mickovskit.

Kjo deklaratë e Mickoski shkaktoi reagim nga Ivica Konevski – anëtar i partisë i cili përmes Facebook-ut iu përgjigj se partia ka nevojë për një njeri që bashkon, dhe jo dikë që shpif dhe fyen.

Edhe pse analistët thonë se nga politikat qeveritare të Gruevskit dhe Mijallkovit kryesisht kanë pësuar shqiptarët, as Ali Ahmeti as BDI si parti, nuk janë distancuar nga ato politika që u zbatuan kur ishin partnerë koalicioni.