Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, në përmbyllje të fushatës në Çair mbajti një fjalim të fuqishëm, duke theksuar se kjo betejë politike ka tejkaluar kufijtë e një gare lokale.
“Kundërshtarët tanë deshën të na sfidojnë në Çair, të na mundin në Çair dhe kërkuan mejdan politik në Çair, duke menduar se ne do të ikim. Por unë pranova vetë këtë sfidë, sepse nderin e Çairit doja ta mbroj vetë”, tha Mexhiti para një numri të madh qytetarësh.
Ai shtoi se Çairi nuk do të shërbejë si trampolinë për politikanë të dështuar që kërkojnë të shpëtojnë karrierat e tyre.
“Çairi nuk është trampolinë për të shpëtuar karrierat politike të atyre që vijnë nga Zajazi, as për t’i kthyer në pushtet ata që sot vajtojnë në opozitë. Më 19 tetor disa do t’i dërgojmë në pension politik, e disa në histori. Sepse unë nuk jam në garë me Bujar Osmanin, por me Ali Ahmetin e Zajazit”, tha Mexhiti.
Në fjalimin e tij, ai përmendi edhe rezultatet e qeverisjes së deritanishme të VLEN-it, duke nënvizuar se në vetëm 15 muaj në pushtet, janë realizuar rreth 100 milionë euro investime në Çair.
“U ktheva të garoj në Çair që ëndrrën e atyre që deshën ta bënin Çairin geto ta shndërrojmë në Çair të ëndërruar nga të gjithë ne. Nga periferi, Çairin po e kthejmë në epiqendër të Shkupit”, tha Mexhiti mes brohoritjeve të të pranishmëve.
Fjalimi i tij u shoqërua me entuziazëm të madh, duke shënuar një mbyllje madhështore të fushatës së VLEN-it në Çair.