Meta porosit Ramën: Mos e provoko më Haradinajn, nuk tolerojmë më lojëra

Ai i bëri thirrje Edi Ramës që të mos e provokojë më ish-kryeministrin Ramush Haradinajn, ndërsa iu referua kryeministrit shqiptar si “gruaja e Bilalit”.

“Gruaja e Bilalit e ka kaluar me kohë kufirin, po provokon Haradinajn. Gruaja e Bilalit mbështeti i pari taksën me Serbinë 100 %. I bëj thirrje të mos e provokojë më Haradinajn, ai është një hero i gjallë. Të mos merret më me Haradinajn dhe familjen e tij, ai ka para oborrit 40 varre. Familja e Haradinajt ka dhënë jetën për atdheun. Ne nuk mund të pranojmë lojëra të tilla, përçarëse e provokues”, tha Meta.

Në janar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama paditi Ramush Haradinaj për “shpifje”.

Rama në padinë 30 faqe pretendon se Haradinaj kishte shpifur për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve.

Sipas Edi Ramës, “Ramush Haradinaj është autori e përhapësi në publik i akuzave për fakte konkrete, të cilat në mënyrë të përsëritur e në mënyrë direkte e indirekte, kanë krijuar në publik idenë e rreme, sipas së cilës “kryeministri i Republikës së Shqipërisë në personin e paditësit është në shërbim të një ideje në dëm të interesit të kombit shqiptar në përgjithësi dhe të interesit të Republikës së Kosovës në veçanti”, theksoi Meta, raportojnë mediet shqiptare.

Haradinaj nga ana e tij shkroi në Facebook, se është në dijeni të raportimeve për padinë e kryeministrit Rama dhe do të përgatisë një përgjigje në padi.