Meta do të mbledh Këshillin kombëtar të sigurisë, do ta ftojë dhe Bashën

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta do të mbledhë Këshillin kombëtar të sigurisë për të diskutuar gjendjen me koronavirusin dhe masat.

Gjithashtu i ftuar do të jetë edhe lideri i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Në afat prej dy ditësh do ta thërras Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe do të ftoj kreun e opozitës, Lulzim Basha, që të jetë i pranishëm, të dëgjojë se çfarë do të komunikohet, por edhe të shpreh mendimet e tij për këtë situatë”, tha Meta duke qenë mysafir në emisionin “Open” në Top Çanell.

Ai la gjithashtu mundësi të takohej me të gjitha partitë politike për të dhënë një mesazh te qytetarët gjatë kësaj kohe të vështirë si rezultat i pandemisë së koronavirusit.

“Padyshim që mund të jetë e patjetërsueshme dhe besoj, do të ketë zhvillime të tilla, në interes të jo vetëm të dërgimit të një mesazhi vizual, por edhe për të vlerësuar situatën në të cilën gjendemi dhe të kemi perspektivë më të qartë nën të gjitha skenarët, si pandeminë, ashtu edhe gjendja ekonomike që ka pasoja”, tha presidenti Meta.

Ai i vlerësoi masat e qeverisë si reagim shumë i rëndësishëm dhe shtoi se ato duhet të zbatohen plotësisht.

I pyetur nëse masat e qeverisë ishin më të mira apo ato të propozuara nga opozita, Meta tha se ishte e rëndësishme që kishte angazhim nga të dy palët.

“Nuk është pyetje për mua, sepse nuk jam gjykatës. Për mua e rëndësishme është që ekziston ndjenjë angazhimi edhe nga opozita. Por, qeveria, ka marrë në konsideratë edhe disa propozime të opozitës. Shoh interes të përbashkët për të mbrojtur të gjithë qytetarët”, u përgjigj Meta.

Ai ndër të tjera u shpreh se ishte testuar për koronavirusin për t’u siguruar që nuk u infektua aksidentalisht nga pakujdesia.

Duke u përgjigjur në pyetje se ku gjenden fëmijët e tij, të cilët studiojnë jashtë vendit, ai tha se ata aktualisht ishin në shtëpi në karantinë dhe se ata ndiqnin mësimin online. Dita e tij, shtoi se, megjithatë kalon në relacionin kabinet-shtëpi, ku edhe jeton këto ditë dhe se ka reduktuar kontaktet në minimum.